Më 14 shtator, në dy-vjetorin e hapjes së qendrës sonë të parë, përuruam hapjen e qendrës së dytë të Flutura Academy në Podujevë.
Për një fjalë rasti, ishin prezent Kryetari i Bordit Drejtues të Flutura Academy, z. Bekim Ahmetaj dhe Kryetari i Komunës së Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi me ç’rast kemi marrëveshje bashkëpunimi për shfrytëzim të hapësirave të Qendrës për Aftësim Profesional në Podujevë. Në prani të një audience të gjerë, kemi paraqitur një pasqyrë të shkurtër të arritjeve tona deri tani dhe objektivave tona të ardhshme për qendrën tonë në Podujevë.
Jemi përpjekur të ofrojmë një gamë të gjerë trajnimesh dhe aktivitetesh, gjithmonë duke u përshtatur me kërkesat e kohës sonë digjitale. Sfidat janë paraqitur dhe do të vazhdojnë të na sfidojnë, por përkushtimi ynë për t’u përballur me secilën prej tyre mbetet i pandryshuar. Ideja jonë ka ndjekur rrugën e saj dhe kemi arritur deri këtu pas dy vjetëve suksesshëm, përfshirë hapjen e qendrës së dytë të Flutura Academy në Podujevë.
Ne kemi një përkushtim të përbashkët për të vazhduar këtë rrugëtim, pasi suksesi i nxënësve tanë është edhe suksesi ynë. Andaj, me hapjen zyrtare të qendrës së dytë të Flutura Academy në këtë rast në Podujevë, urojmë që do të festojmë edhe më shumë suksese dhe arritje në të ardhmen.
Faleminderit të gjithëve që janë bërë pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët dhe urime për të rinjtë e Podujevës!