Thumb

02 Korrik 2020

Bambus Group krijon grupin muzikor 'Bambus Band'

Muzikën e kemi pjesë të pandashme të përditshmërisë. Secili prej ekipit tonë ka shije dhe preferenca të ndryshme muzikore, megjithatë mund të themi që të gjithë jemi pasionantë të tingujve që kompozojnë këngë të bukura e domëthënëse.Si pasionantë të muzikës, bashkë me vokalistin e njohur, Hysen Kafexhiu, e kemi krijuar grupin muzikor ‘Bambus Band’, pa synuar ndonjë përfitim, përveçse të krijojmë diçka të bukur për vete dhe shoqërinë. Përderisa për ne muzika është pasion, për Hysenin është pjesë e pandashme e jetës. Që nga viti 2006 e deri më sot, së pari si baterist e pastaj edhe si vokalist, Hyseni është bërë zëri i preferuar i mbrëmjeve të ngrohta pranë shatërvanit në Prizren. Që nga fillimet, si dhe përgjatë 4 viteve si pjesë e grupit ’04 Band’, këngë të shumta të vjetra shqiptare dhe të huaja, sidomos nga zhanri Pop Rock, të viteve ’80, janë bërë pjesë e natyrshme e ndejave të të rinjve nëpër qytete të Kosovës dhe Shqipërisë. Kemi kënaqësinë që përveç Hysenit, Bambus Band-it i janë bashkangjitur edhe muzikantët profesionistë, Faton Aliu në bateri dhe Orest Gjoshi në gitarë.